Home Uncategorized Socialdemokratët e Zvicrës i bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve: Votoni...

Socialdemokratët e Zvicrës i bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve: Votoni për Vetëvendosjen

75
0

Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP) i ka dërguar një letër përkrahjeje Lëvizjes Vetëvendosje. Shqiptarëve në mërgim kjo parti u ka bërë thirrje që të regjistrohen dhe marrin pjesë në zgjedhje.

Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Drejtues të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP) kanë marrë vendim që në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë të përkrahin hapur Lëvizjen Vetëvendosje. Socialdemokratët drejtojnë dy ministri në qeverinë e Zvicrës dhe janë ndër faktorët kryesorë politik në këtë vend. Disa qytete të mëdha zvicerane qeverisen apo bashkëqeverisen nga socialdemokratët.

Në letrën përkrahëse theksohet se para gati 13 vjetësh, më 17 shkurt 2008, Kosova zyrtarisht shpalli pavarësinë. Zvicra, falë ministres socialdemokrate të punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, ishte një nga vendet e para që asokohe njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Sipas SP, në Kosovë shpeshherë interesat gjeopolitike dhe çështjet e stabilitetit janë vendosur para demokracisë dhe shtetit të së drejtës. “Por, pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë zhvillim.

Kosova ka mbetur shtëpia më e varfër e Europës. Popullsia e braktis vendin valë pas vale. Mbi 800 mijë kosovarë që nga vitet e 60 jetojnë jashtë vendit, prej tyre së paku 200 mijë në Zvicër. Rreth 1,8 milionë banorë qëndruan në Kosovë, ku korrupsioni dhe klientelizmi aktualisht po pengojnë çdo zhvillim”, theksohet në letër.

Socialdemokratët zviceranë nënvizojnë se në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë forcat progresive të prira nga Vetëvendosje në krye me kandidatin Albin Kurti kanë shanse të mira për fitore. “Zgjedhjet e 14 shkurtit janë të një rëndësie të madhe për Kosovën, Zvicrën dhe të gjithë Evropën. Vetëvendosje angazhohet për drejtësi, demokraci dhe shtetin e së drejtës. Këto vlera paraqesin themelin për punë të mira, zhvillim progresiv shoqëror dhe kështu edhe një rrugëdalje nga kriza”.

Socialdemokratët e Zvicrës i bëjnë thirrje qeverisë zvicerane të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira të Zvicrës me Kosovën dhe përmes Ambasadës bashkë me BE-në të angazhohet për zgjedhje të drejta dhe korrekte. “Vullneti i votuesve duhet të respektohet. Nuk duhet të ndodhë që fletët e votimit, për shkak të gabimeve paraprake formale, të shpallen të pavlefshme”.

Socialdemokratët e Zvicrës i drejtohen me një apel edhe pjesëtarëve të mërgatës kosovare në Zvicër të marrin pjesë në zgjedhje dhe të motivojnë të tjerët për të marrë pjesë “në këto zgjedhje vendimtare”: “Kontribuoni në mobilizimin e diasporës së madhe kosovare në Zvicër, merrni pjesë në fushata elektorale telefonike, shpërndani vegëzat për regjistrim përmes mediave sociale, shpërndani formularët e regjistrimit, ndihmoni në plotësimin e saktë të formularëve dhe merrni pjesë në zgjedhje, sepse kjo mund të jetë përcaktuese”.

Në letrën e politikanëve zviceranë potencohet se fitorja e zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje në vjeshtën e vitit 2019 ishte nga më të rëndësishmet. “Vetëvendosje mbështet reformat demokratike dhe drejtësinë shoqërore, dhe është një parti simotër me PS të Zvicrës. Me kërkesën tonë, Vetëvendosje është bërë pjesë e Aleancës Progresive, një organizatë globale kjo, çati e partive socialdemokrate. Shqetësimet e saja politike korrespondojnë me ato të PS të Zvicrës: drejtësia sociale, barazia gjinore, ndërtimi i një shteti të mirëqenies dhe një sistemi të drejtë taksash, punë të mirë për të gjithë”.

Në fund të letrës socialdemokratët zviceranë i urojnë sukses në zgjedhje jo vetëm Vetëvendosjes, por të gjithëve të gjithëve që angazhohen për një Kosovë demokratike, sovrane, kushtetuese, me drejtësi sociale e ekologjike. Letra është nënshkruar nga kryetarët Cédric Wermuth e Mattea Mayer dhe nga deputeti Fabian Molina.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here